Nëse ka një recetë gatimi që është tipike e kuzhinës sonë autoktone e që është gatim i përgatitur vetëm nga amvisat shqiptare, ajo është pikërisht Tava e Kosit.
E pamundur t’i rezistosh kësaj pjate, jo vetëm nëse e ke të servirur në tryezë por edhe thjeshtë nëse e përmend apo e dëgjon diku, kjo tavë mbetet si një ndër gatimet më të jashtëzakonshme tradicionale shqiptare.-
Përbërësit:
- 1 kg mish qengji i freskët
- 1 kg kos Lufra
- 2 lugë miell
- 3 kokrra vezë, pak gjalpë Lufra
- 2 lugë oriz
- kripë
Shërben:
- 4 persona
Përgatitja:
Në një tavë vendosim mishin, e kriposim, shtojmë pak gjalpë, dy lugë oriz, 1 gotë ujë. Tavën e mbulojmë me letër alumini dhe e kalojmë në furrë në 220 gradë.
Pasi të ketë kaluar gjysma e kohës së pjekjes, heqim letrën e aluminit. Ndërkohë në një tas miksojmë tre kokrra vezë, shtojmë pak kripë dhe 2 lugë miell, e miksojmë mirë që mielli të mos bëhet kokërr dhe shtojmë rreth 1 kg kos.
Përbërësit i kalojmë në një tenxhere, pasi i shtojmë pak lëng mishi e kalojmë në zjarr derisa të marrë valë, përziejmë me lugë gjatë gjithë kohës.
Përbërjen me kos e shtojmë në tavën me mish, i lëmë të gjithë përbërësit të piqen me njëri tjetrin derisa të marrim një ngjyrë të artë, rreth 45-50 minuta.