Mirëqenia e lopëve varet kryesisht nga mënyra se si menaxhohen ato nga njerëzit. Një sërë faktorësh mund të ndikojnë në mirëqenien e tyre, duke përfshirë strehimin dhe shtrojen, hapësirën dhe mbipopullimin, kushtet e transportit, etj. Standardet e mira të higjenës kanë një rëndësi të madhe për cilësinë e qumështit dhe produkteve të tij. Kështu, veterineri duhet të ndihmojë fermerin e lopëve të ndërmarrë veprime për aktivitetet e menaxhimit të fermës së qumështit (strehimi, ushqyerja, mjelja dhe çështjet shëndetësore) për prodhimin e qumështit të pastër dhe higjenik. Konsumatori dëshiron një produkt të sigurt dhe përpunuesit i duhet qumësht me cilësi të mirë për përpunim.
Trajtimi i qumështit ndikon rrënjësisht në cilësinë e produktit përfundimtar. Para fillimit të zbatimit të aktiviteteve në lidhje me përmirësimin e higjenës së stallës, lopëve, gjinjve dhe qumështit, gjatë procesit të mjeljes, veterineret, grumbulluesit e qumështit dhe fermerët duhet të diskutojnë për: (i) faktorët që ndikojnë në shfaqjen e mastitit klinik dhe nënklinik, (ii) njohuritë dhe informacionet e nevojshme për të përmirësuar shëndetin e gjinjve dhe parandalimin e mastitit, dhe më e rëndësishmja, (iii) si të ndërgjegjësohen fermerët për mënyrën e përmirësimit të shëndetit të lopëve në fermat e qumështit.
Për më tepër, gjëja e parë që duhet bërë për secilën fermë është plotësimi i një pyetësori me qëllim mbledhjen e informacionit mbi nivelin e njohurive të fermerëve në lidhje me higjenën e qumështit, mastitit dhe sëmundjet e tjera, si dhe disa informacione të përgjithshme për prodhimin dhe mirëqenien e lopëve.
Vizita jone në një fermë qumështi fillon me mjedisin e fermës. Menaxhimi i duhur i mjedisit përmirëson performancën e prodhimit të kafshëve, minimizon sëmundjet e kafshëve, dhe problemet me sjelljen e tyre. Mjediset e fermës përfshijnë të gjitha strukturat e strehimit, strukturat e mbajtjes së mjeteve të nevojshme, ndarjet, bokset, korridoret, si dhe oborret e parcelat pranë stallave ku mbahen kafshët për levizje, të çdo moshe dhe gjendje shëndetësore.
Mjediset e fermës duhet të lejojnë lëvizjen e natyrshme të kafshëve dhe bashkëveprimin shoqëror të tyre dhe duhet të sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme nga temperaturat ekstreme. Ushqimi dhe uji duhet të sigurohen brenda një zone që është e arritshme nga kafshët. Mjediset dhe strukturat e fermës nuk duhet të rrezikojë sigurinë dhe mirëqenien e kafshëve.
Depozitat e ruajtjes së qumështit (bidonë, tanke ftohës), pastrohen dhe dizinfektohen pas çdo grumbullimi të qumështit dhe të mbahen në kushte të mira. Neglizhimi për të larë pajisjet edhe një herë të vetme mund të bëjë që dërgesa e radhës e qumështit të refuzohet pas provave të cilësisë dhe për rrjedhojë të refuzohen edhe të gjithë dërgesat e qumështit.
Rregjistrohu në buletinin tonë informativ për tu informuar rreth të rejave të fundit, kuriozitete dhe publikime nga kompania ”Lufra”.