“Kompania ‘Lufra’ është investim bashkëkohor europian, ku produkti nuk manipulohet. Qumështi që marrim në treg është me risk të lartë, mund të ketë baktere dhe si konsumator nuk e dimë nëse është me brucelozë. Kompania jonë punon që nga fermeri, për higjenën e mjeljes dhe deri në fabrikë. Konsumatori është i rrezikuar kur blen produkte në vende të pakontrolluara, kur kalon shumë orë në trotuar dhe në temperatura të larta, ngarkesa bakteriale është në mbi 5 milion. Po ashtu, mosndalimi i tregtimit të qumështit asnjë ditë, i bie që lopa s’ka bërë vaksina, apo nuk është sëmurur asnjëherë. Në kompani kemi të punësuar fermerë që merren me trajnimin e fermerëve të tjerë”- shprehet Znj. Antoneta Ndreka gjatë intervistave për informimin e publikut.
Znj. Ndreka tha se problem është fakti së veterinerët nuk e dinë rëndësinë e antibiotikut tek kafshët, e cila ndikon drejtpërdrejtë në qumështin e konsumuar nga qytetarët.
“Ka patur raste kur edhe vetë fermeri nuk e di rëndësinë e antibiotikut, madje deklaron se qumështi që shet është ai që e konsumon edhe vetë. Kishim një rast kur qumështi doli me antibiotik, fermeri i kishte mjekuar lopës thumbrat sepse i kishte me infeksion, gjë që reflektohet në qumësht. Sot, mund të themi se ka më pak fenomen të shitjes së qumështit në rrugë. Konsumatori duhet të jetë i përgjegjshëm për të blerë produkte të kontrolluara. Në fabrikën tonë kemi mjetet për largimin e 95% të baktereve të qumështit. Një këshillë kisha për të gjithë konsumatorët që të mos blejnë produkte në rrugë, por në kompani që kanë përgjegjësi për ju”- deklaroi Znj. Ndreka në një emision për ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Lufra Foods është një kompani ushqimore dhe e pijeve që prodhon dhe shpërndan markat e saj të suksesshme si Lufra, Tido, Tradita, Beneta dhe uji Dukat, ndërsa gjithashtu shpërndan marka të tjera të importuara nga rajoni dhe ndërkombëtarisht.